Maqedoni
Kuvendi zgjodhi ministrat e rinj
05.04.2016 17:40
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë i zgjodhi ministrat dhe zëvendësministrat e rinj në Qeveri...

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë i zgjodhi ministrat dhe zëvendësministrat e rinj në Qeveri, të propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, me mandat për të organizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për më pesë qershor.
Kryeministri, Emil Dimitriev, duke arsyetuar propozimet e reja tha se bëhet fjalë për dikastere, të cilat kanë mbetur të zbrazëta si pasojë e dorëheqjeve të ministrave të BDI-së, të cilat Parlamenti i konstatoi të hënën.
“Kandidatët për ministra të rinj që janë para jush, janë propozim që vjen nga ana e BDI-së. Marrë parasysh që bëhet fjalë për Qeveri e cila ka për obligim të zbatojë zgjedhjet, të dakorduara mes partive politike me Marrëveshjen qershor/korrik në Shkup me mandat dhe specifika të kufizuara, si dhe duke llogaritur afatin e shkurtër që ka mbetur për shpërbërjen e Parlamentit nga shkaku i mbajtjes së zgjedhjeve më 5 qershor, konsideroj se është korrekte dhe e përshtatshme të pranohet propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Qeverisë.”- deklaroi kryeministri, Emil Dimitriev.
Kuadrot e reja për ministra janë kontrata e re e BDI-së me qytetarët. Kështu e cilësoi deputetja, Ermira Mehmeti, ndërrimin e ministrave nga radhët e kësaj partie.
"BDI-ja çdoherë ka promovuar frymë të shikimit përpara, e jo kthim mbrapa, prandaj ne sot japim një ofertë të re, marrëveshje të re politike me votuesit tanë, me qytetarët e Maqedonisë, me tërë opinionin, i cili vazhdimisht e drejton gishtin ndaj nesh dhe kuadrove tona, të cilët pothuajse ishin të ngjitur për karriget e tyre."- tha Ermira Mehmeti nga BDI.
Deputetët e PDSh-së nuk votuan për ministrat e BDI-së. Me ndërrimin e kuadrove, BDI ka pranuar dështimin e saj në qeverisje, tha Imer Aliu.
“Sot konstatohen shumë punë. Pikësëpari konstatohet dështimi i atyre që ishin para këtyre. Konstatohet dështimi i një politike të asaj partie, e cila i caktoi ata para këtyre dhe këta sot, të cilëve nesër, kushtimisht thënë u përfundon mandati. Këtë e tha edhe kryeministri në detyrë.”- theksoi Imer Aliu nga PDSh.
Kuadrot e reja nga radhët e BDI-së u mbështetën nga shumica parlamentare, por jo edhe nga deputetët e opozitës. Partitë maqedonase shfrytëzuan seancën për zgjedhjen e ministrave të rinj për të qëruar hesape mes veti.
SHPËTIM NUREDINI
