Presidenti Ivanov në Samitin e 19-të ekonomik euroaziatik në Stamboll

06.04.2016 09:43

Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Republikën e Turqisë, me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e 19-të ekonomik euroaziatik të Fondacionit Marmara në Stamboll...

Siç kumtoi Kabineti i tij, presidenti Ivanov do të mbajë fjalim në hapjen solemne të samitit të 19-të ekonomik euroaziatik, ndërsa do të mbajë edhe fjalim në sesionin presidencial.

Në delegacionin e udhëhequr nga presidenti  i Maqedonisë, për vizitë pune në Republikën e Turqisë është edhe ministri pa resor i obliguar për tërheqjen e investimeve të huaja, Xheri Naumof.

Në kumtesën e Kabinetit potencohet se kjo është pjesëmarrja e gjashtë e presidentit Ivanov në Forumin ekonomik euroaziatik, i cili çdo vit organizohet nga viti 1998.

Këtë vit është paralajmëruar edhe prania e qeveritarëve, presidentëve, kryeministrave, ministrave, personaliteteve të shquar nga jeta shoqërore dhe politike, sektori joqeveritar dhe bashkësia e biznesit nga 40-të shtete.

Organizator i Forumit ekonomik euroaziatik është Fondacioni Marmara, grupi për hulumtime shoqërore dhe ekonomike, i cili ka për qëllim përparimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe vendeve nga Azia qendrore dhe Lindja e afërt. Fondacioni në mënyrë aktive është përfshirë në përforcimin e marrëdhënieve ekonomike,  përmirësimin e bashkëpunimit rajonal me qëllim që të ndihmojë në maksimizimin e mundësive që i krijon procesi i globalizimit dhe minimalizimi i efekteve të tij negative. (mia.mk)