Golden State humbet sërish, rekordi në rrezik

06.04.2016 11:55

Tjetër humbje për Golden State Warriors në Nba...

Kampionët në fuqi pësuan disfatën e 9-të sezonale pasi u mposhtën në Oracle Arena nga Minnesotta, pas kohës shtesë me rezultatin 124-117. Për të thyer rekordin e Chicagos, që në sezonin 1995-1996 regjistroi 72 fitore dhe 10 humbje, Warriors tani duhet të mos humbasin asnjë nga 4 sfidat e mbetura në sezonin e rregullt, dy prej të cilave do të janë me San Antonion, një herë në shtëpi dhe 1 herë në transfertë dhe në po dy raste do të takohet edhe me Memphis-in.

Në sfidën e Oracle Arena shkëlqeu amerikani Muhammad për Minnesottan, që realizoi 35 pikë, ndërsa Andrew Wiggins me 32 poena dhe Karl Antony Towns me 20 pikë e 12 rebounde ishin dy vlerat e shtuara të formacionit nga Minneapolis.

Fitore në sekondat e fundit për San Antonio, që mundi 88-86 Utah Jazz, një sukses më së shumti për statistikë, pasi Spurs kanë siguruar vendin e dytë në Perëndim. Leonard me 18 pikë ishtë më i miri në fushë për miqtë, ndërsa 23 pikët e Hood mbetën për statistikë për vendasit.

Fitore nën shenjën e Kevin Durant për Oklahoma City Thunder. Formacioni i drejtuar nga trajneri Billy Donovan u imponua në transfertën e Colorados përballë Denver Nuggets me shifrat e thella 124-102. Durant e mbylli ndeshjen me 26 pikë, 8 asiste dhe 5 rebound.

Në Lindje, vijon dominimi i Cleveland, që mundi 109-80 Milwaukee, ndeshje ku miqtë patën epërsi dhe kolektiviteti bëri diferencën në fushë. Smith me 21 pikë ishte shënuesi më i mirë për Cavaliers, ndërsa James e Love realizuan nga 17 pikë secili.