“Amnesty International”- raporti: 2015-ta me numër rekord të ekzekutimeve me vdekje

06.04.2016 12:20

Sipas raportit vjetor të “Amnesty International”, 1634 persona janë ekzekutuar me vdekje gjatë 2015 dhe 90 për qind të tyre janë kryer në Iran, Pakistan dhe në Arabinë Saudite...

Në raport nuk është përfshirë Kina, pasi shkalla e vërtetë e ekzekutimeve me vdekje mbetet një sekret shtetëror, por, sipas grupeve që mbrojnë të drejtat e njeriut, Kina është ekzekutori më i lartë në botë.

Në Arabinë Saudite vitin e kaluar janë ekzekutuar të paktën 158 persona, duke shënuar një rritje me 76 për qind. Mënyra e përdorur në shumicën e rasteve është prerje koke, por edhe pushkatim, teksa shpesh trupat e ekzekutuar shfaqen në publik.

Në Pakistan moratoriumi i dënimit me vdekje u hoq pas masakrës në shkollën e Peshavarit në dhjetor të 2014. Në Iran nga 231 numri i ekzekutimeve shkoi në 977 në 2015.

Sipas Amnesty, ShBA ka bërë përparime, ku në 2015 ka kryer 28 ekzekutime, numri më i ulët që nga viti 1991. Pjesa tjetër e botës gradualisht e ka hequr dënimin me vdekje, ku vetëm në 2015-tën e hoqën katër vende, Fiji, Madagascar, Republika e Kongos dhe Suriname. 102 vende në botë e kanë hequr plotësisht dënimin me vdekje. (Gazmend Kurtishi, TVM2)