Zgjedhjet e pesë qershorit, analistët debatojnë në “Argument” në TVM2

06.04.2016 14:11

Mbajtja e zgjedhjeve më pesë qershor varet nga një prononcim i qartë i KShZ-së për ekzistimin apo jo të kushteve për zgjedhje transparente...

Vlerësimin e tillë e ndajnë ish deputeti, Ismet Ramadani, dhe ish ministrat, Imer Selmani dhe Aziz Pollozhani, në emisionin “Argument”. Imer Selmani konsideron se çdo vendim i marrë për shpërbërjen e kuvendit duhet të jetë i matur që mos të lëkundë besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve.

“Në qoftë se me arsye, pa arsye caktojmë data, prolongojmë data, marrim vendime të dyta, të treta, pastaj ne nuk i ngjajmë as shtetit as institucioneve. Ne devalvojmë të gjitha institucionet e shtetit në qoftë se pa arsye marrim vendime. D.m.th. nëse edhe KShZ nuk është në nivelin e detyrës së vet, nuk del qartë me verdikt se a ka kushte për zgjedhje ose jo, atëherë edhe ai zinxhir i fundit i  besueshmërisë në institucione mund të humbet. Thjesht kjo nuk është për të mirën e shtetit, as të vendit e as të ardhmes tonë.”- deklaroi ish ministri, Imer Selmani.

Edhe ish deputeti, Ismet Ramadani, konsideron se shpërbërja e parlamentit pa krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike mund të shtrijë krizën në rrugë.

“Në qoftë se ndodh shpërbërjen e parlamentit ta votojnë vetëm VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja, dhe ky të jetë ai numri i votave që do të vendos për ta shpërbërë parlamentin dhe për të shkuar në zgjedhje më pesë qershor, prapë ne nuk e kemi zgjidhur problemin. Kriza mbetet, mendoj se do të thellohet, mund të dalë edhe më shumë në rrugë. Por, unë mendoj se këtu faktori ndërkombëtar prapë do ta ketë fjalën kryesore, sepse ata i kanë mësuar liderët politik dhe ambientin këtu se nuk jemi në gjendje vetë t’i bëjmë disa punë.”- tha ish deputeti, Ismet Ramadani.

Aziz Pollozhani pajtohet se me rëndësi është krijimi i kushteve për zgjedhje transparente, por, sipas tij, është e pabesueshme që data pesë qershor të shtyhet, pasi situata do zgjidhje.

“Më duket e vështirë të besohet që njerëzit të besojnë më që kjo datë mund të shtyhet. Nga ajo që po dëgjojmë, nga përgatitjet e OSBE-së, është evidente që procesi po rri në pikën e ngopjes dhe atëherë do një zgjidhje. Mendoj që faktorët ndërkombëtarë, por shpresoj se edhe faktorët e brendshëm do të arrijnë të kuptojnë se ka arritur procesi në pikë të ngopjes dhe moskapja e momentit të caktuar për t’i bërë disa hapa të duhur mund të jetë i pakëndshëm për rrjedhat demokratike në Maqedoni.”- theksoi ish ministri, Aziz Pollozhani.

Tre ish aktorët politik, dikur drejtpërdrejtë të përfshirë në proceset politike, thonë se faktori ndërkombëtar në mënyrë aktive i ndihmon Maqedonisë me veprimet e tyre të matura, duke mos dëmtuar procesin eurointegrues të vendin. (Meral Ismaili, TVM2)