Maqedoni
Garret për zgjedhjet e 5 qershorit; të mundshme, nëse institucionet kryejnë detyrat
06.04.2016 15:12
Në qoftë se plotësohen kushtet e nevojshme dhe të gjitha institucionet relevante i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre, atëherë janë të mundshme zgjedhjet e 5 qershorit...

Megjithatë, ekzistojnë edhe shumë punë që duhet të realizohen për të pasur zgjedhje kredibile. Kështu ka deklaruar ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Garret.
“Kanë mbetur mjaft obligime dhe punë deri në zgjedhjet që pasojnë, ndërkaq kanë mbetur edhe 60 ditë dhe unë jam i bindur se nëse të gjithë personat dhe institucionet i kryejnë detyrat e veta, ka shans të kemi zgjedhje dinjitoze, të cilat do të mbahen më 5 qershor. Por, në fund gjithçka dëshmohet me pak fjalë, të cilat janë shumë të rëndësishme për Marrëveshjen e Përzhinës.”- deklaroi ambasadori i Britanisë së Madhe, Charles Garret.
Edhe BE është e gatshme të ndihmojë edhe më tej procesin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Përzhinës.
Kjo gatishmëri është shprehur në bisedën telefonike të eurokomisarit për zgjerim, Johanes Han, me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin.
Ky i fundit edhe një herë ka ripotencuar se zbatimi i tërësishëm i Marrëveshjes së Përzhinës garanton zgjedhje të lira dhe të besueshme për të gjithë qytetarët.
Çështjet politike aktuale kanë qenë temë e bisedimeve edhe të kreut të BDI-së me ambasadoren belge, Anik Van Kalster.
Ahmeti i ka kumtuar ambasadores Kalster se zgjedhjet e lira, demokratike dhe të besueshme janë fillimi i zgjidhjes së krizës.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
