Maqedoni

Reformat në media, raportimi i paanshëm-kusht për zgjedhje të lira

06.04.2016 15:24

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend kërkojnë reforma në media dhe raportim të balancuar për të gjithë...

Sidomos ky raportim i balancuar bëhet i domosdoshëm në periudhat zgjedhore. Mbulimi i balancuar dhe i paanshëm i procesit zgjedhor është diçka shumë e rëndësishme për të pasur zgjedhje të besueshme dhe të drejta.
 
Ambasadori britanik, Garret, porositi sot servisin publik të zbatojë në praktikë udhëzimet që vetë i ka përmbledhur në doracakun e publikuar kohë më parë për mbulimin e procesit zgjedhor, por edhe të mbajë mend se servisi që paguhet nga qytetarët, parimin e barabarësisë duhet ta zbatojë gjatë gjithë kohës. 
 
“Mbulimi i plotë i balancuar dhe i paanshëm i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm që të kemi zgjedhje të besueshme, por edhe të drejta. RTM tregoi se ata janë të angazhuar për të zbatuar këto udhëzime dhe me padurim presim të shohim se si do të zbatohet në praktikë, gjegjësisht  gjatë zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme për RTM-në në që të zbatojë këto udhëzime, sepse është servis publik që e paguajnë qytetarët.”- deklaroi ambasador i Britanisë në Maqedoni, Çarls Garret.
 
“Mediat duhet të arrijnë të bëjmë baraspeshë dhe të jenë konsekuentë me politikën e tyre redaktuese, por gjithsesi duhet të raportojnë në mënyrë të balancuar dhe të jenë të paanshëm.”- tha shefi i Misionit të OSBE-së, Nina Soumalajnen.
 
Përfaqësuesit e RTM-së thonë se problemet nuk zgjidhen me vetëm një doracak, por gjithsesi ai është tregues se reformat në servizin publik kanë filluar. 
 
“Nuk duhet të kemi iluzione se ky dokument do t’i zgjidh të gjitha problemet tona, por unë jam optimist se do të jetë nisma për reforma. Edhe pse flasim për parime që duhet respektuar gjatë procesit zgjedhor, shpresoj se ky dokument do të implementohet edhe pas zgjedhjeve.”- theksoi kryeredaktori i TVM1, Dime Ratajkovski.
 
Edhe përfaqësuesit në debatin e sotëm u pajtuan se reformat nuk janë të nevojshme vetëm në servisin publik, por është i nevojshëm reformimi i politikës, që të heqë dorë nga imponimi i vullnetit të njëanshëm në media dhe t’i lërë mediat të përcaktohen vetë për politikën e tyre redaktuese. 
 
SANIJE DURAKU