Kulturë

Ekspozitë, Reshat Ahmeti-çerek shekulli krijimtari

06.04.2016 15:37

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, prej nesër deri më 21 prill do të hapet ekspozita e piktorit të njohur, Reshat Ametit...

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, prej nesër deri më 21 prill do të hapet ekspozita e piktorit të njohur, Reshat Ametit, për të shënuar një çerek shekulli nga veprimtaria e tij artistike.
 
I njohur edhe si ambasadori i pikturës shqiptare në botë, deri tani ka pasur mbi 200 ekspozita vetëm në Maqedoni dhe shumë të tjera në të gjitha kontinentet. 
 
“Me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës do të shënohet 25 vjetori i opusit krijues të piktorit të shumënjohur shqiptar në Maqedoni, Reshat Ametit. Reshat Ameti, siç e dini edhe ju, është një nga ambasadorët shqiptarë të artit të pikturës kudo nëpër botë.”- deklaroi sekretari shtetëror pranë Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi.
“Besoj se nesër mbrëma artdashësit në Akademinë e Shkencave dhe Arteve do të kenë mundësi të shohin atë që unë e kam pasur si rrugëtim artistik. Ne vazhdojmë bashkëpunimin me Galerinë Kombëtare.”- tha piktori, Reshat Ameti.
 
“U paralajmëroj gjithë artistëve se dyert e Galerisë Kombëtare për projekte cilësore dhe me vlera janë të hapura. Po ashtu do të bëjmë një program, ku i ftoj më të rinjtë  për edukimin përmes artit, i ftoj edhe të gjitha shkollat shqipe të vijnë dhe orët studiuese t’i zhvillojnë në Galeri.”- theksoi drejtoresha në Galerinë Kombëtare, Dita Starova.
 
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi,  paralajmëroi njëkohësisht edhe një tjetër projekt të ri, hapjen e muzeut në Qendrën memoriale në Zajaz, me iniciativë të Komunës së Kërçovës.
 
Ai shtoi se aktiviteti i radhës që do të realizohet është bashkëpunimi mes Galerisë së Arteve të Maqedonisë dhe asaj të Shqipërisë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI