Alivanoset gjykatësi, Jankullovska “shpëton” pasaportën
Ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, do të presë edhe ca kohë për t’u marrë në pyetje si e dyshuar në rastin “Kështjella”...

Jo sepse Jankullovska kërkon t’i ikë drejtësisë, por sepse sot gjykatësit të lëndës i ra të fikët derisa merrte në pyetje ish ministren, kështu që nuk arriti as të japë vendim për konfiskimin e pasaportës.
Për ta sjellë në vete gjykatësin u desh ndërhyrja e ndihmës së shpejtë. Jankulloska, gjithsesi, u tha gazetarëve se nuk ndihet fajtore as për lëndën “Kështjella” as për lëndët e tjera.
Jankullovska akuzon Prokurorinë Speciale se kërkon t’a diskreditojë personalisht prandaj e akuzon në më shumë lëndë.
Gjykata Penale në procedurë paraprake në Gjykatën Themelore Shkupi 1 sot do të duhet të sillte vendim për masat që i ka kërkuar Prokuroria Speciale Publike kundër katër personave, të dyshuar në rastin “Kështjella”, në mesin e të cilëve është edhe ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, Gruevski dhe katër të dyshuarit e tjerë.
Prokuroria Speciale i ngarkon me akuzat se gjatë vitit të kaluar i kanë shkatërruar dhe asgjësuar dy sistemet në MPB, me të cilat është bërë ndjekja e komunikimeve, duke dëmtuar njëkohësisht edhe buxhetin e shtetit me 10 milionë euro.
