Maqedoni

Pyetje këshilltarësh në seancën e Qytetit të Shkupit

06.04.2016 17:06

Stërngarkimi i paraleleve shqipe në Shkollën e Mesme “Arseni Jovkov”, rritja e paraleleve maqedonase edhe pse kanë minimum të numrit të nxënësve...

Stërngarkimi i paraleleve shqipe në Shkollën e Mesme “Arseni Jovkov”, rritja e paraleleve maqedonase edhe pse kanë minimum të numrit të nxënësve, mungesa e pajisjeve mjekësore dhe kabineteve në Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup dhe mosshkarkimi i drejtorit të Shkollës së Mesme Kimike “Maria Kiri Sklovovska” ishin ndër pikat më të nxehta të diskutimit mes këshilltarëve të PDSh-së dhe kryetarit të Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Në seancën kushtuar pyetjeve të këshilltarëve, PDSh akuzoi Trajanovskin se është fajtor për diskriminimin e shqiptarëve në arsim.
 
“Në Shkup ka një popull i cili quhet shqiptar dhe ata janë të barabartë, dhe në këtë rast me shkollat dhe paralelet janë krejtësisht ndryshe prej klasave shqiptare. E dyta, Ju vet jeni kyçur në punën për shkarkimin e drejtorit të ‘Marija Kiri Sklodovska’, por dikush prej lart, me shkop magjik, ka thënë: ulu mos fol, se ky është personi ‘adekuat’, i cili u rri me kamxhik shqiptarëve dhe bën diskriminimin e shqiptarëve.”- deklaroi këshilltari i PDSh-së, Idriz Orana.
 
“Ne parashtruam procedurë deri te Inspektorati Shtetëror i Arsimit për këtë dhe ai  u shkarkua, mirëpo fatkeqësisht ankesa e tij u pranua nga Komisioni i shkallës së dytë i arsimit. Sërish do të dorëzoj procedurë për shkarkimin e tij, sepse nuk jam i kënaqur nga puna dhe sjellja e tij në këtë shkollë.”- theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Grupi i këshilltarëve të BDI-së në Qytetin e Shkupit, ndërkohë, bëri një krahasim të punësimeve të shqiptarëve gjatë viteve të kaluara.
 
“Prej muajit prill 2009 deri më tani në NP numri i shqiptarëve të punësuar është pak më tepër se 460, në Qytetin dhe Brigadën e Zjarrfikësve rreth 40, në institucionet arsimore mbi 250, si punëtorë sezonal në NP si projekt i qytetit 100, ose gjithsej rreth 850.”- tha këshilltarja e BDI-së, Arijeta Muçi.
 
Këshilltarët e LSDM-së i drejtuan kritika të ashpra Trajanovskit lidhur me projektet e VMRO-DPMNE-së të harruara gjatë viteve të fundit, siç është ndërtimi i parkut të lojërave, ndërtimi i kalimeve nëntokësore dhe tramvaji i shumëpërfolur nga VMRO-DPMNE, që kurrë nuk ka filluar të realizohet. 
 
REXHEP QAMILI