Maqedoni
Promovohet “Shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë”
06.04.2016 17:28
“Shqiptarët Ortodoksë në Republikën e Maqedonisë” është titulli i veprës së autorit, Branisllav Sinadinovski...

“Shqiptarët Ortodoksë në Republikën e Maqedonisë” është titulli i veprës së autorit, Branisllav Sinadinovski, e cila u promovua në Universitetin Shtetëror të Tetovës, i përkthyer në gjuhën shqipe nga dekani i Fakultetit Filologjik, Fatmir Sulejmani.
Përkthyesi i veprës tha se “e veçanta e asimilimit të shqiptarëve ortodoksë të Rekës është heshtja mortore që e ka shoqëruar procesin e konvertimit të pashembullt etnik të dhjetëra mijëra njerëzve–indiferenca e shqiptarëve të besimit ortodoks, që u asimiluan pabëzajtur dhe indiferenca e shqiptarëve të besimit islam, që nuk e panë gjëmën e vëllezërve të gjuhës e të gjakut”.
Recensenti i librit, Fehari Ramasani, deklaroi se “libri i profesor Sinadinoskit përbën një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për historinë shqiptare, por edhe për atë maqedonase, ballkanike dhe më gjerë”.
Autori i librit, Branisllav Sinadinovski, tha se “shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë dhe në vendet tjera të Shqipërisë nuk janë dhe as që mund të jenë sllavë, as maqedonas që flasin në gjuhën shqipe, sepse ata ishin dhe do të mbeten gjithmonë pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve të mirënjohur, shqiptarë ortodoksë, dhe si të tillë pjesë e pashkëputshme e tërësisë së popullit shqiptar”.
Në shenjë mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare, rektori i UShT-së, Vullnet Ameti, i ndau një dhuratë edhe nipit të familjes së njohur atdhetare Qiriazi nga Manastiri, Risto Qiriazi.
