Maqedoni

Në mesnatë shpërbëhet Kuvendi, ministrat e opozitës deponojnë dorëheqjet

06.04.2016 17:35

Kuvendi i Republikës do të shpërbëhet në mesnatë nëse në ndërkohë krerët e katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës nuk marrin një vendim tjetër...

Partitë në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI, paraprakisht kanë deklaruar se janë për mbajtjen e zgjedhjeve më pesë qershor, konform vendimit të 23 shkurtit që e miratoi vetëm shumica parlamentare, ndërkaq partitë opozita, si ato parlamentare edhe opozita jashtëparlamentare, është deklaruar kundër, pasi vlerëson se ende nuk janë krijuar kushte për zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike.
 
Megjithatë, përgjegjësia për të deklaruar vlerësimin final nëse janë plotësuar kushtet për zgjedhje cilësore, sipas Marrëveshjes politike të qershorit, i është lënë KShZ-së.
 
Mirëpo, opozita maqedonase ka ndërmarrë masa paraprake për të siguruar mospjesëmarrjen në zgjedhjet e pesë qershorit. Ministrat dhe zëvendësministrat shtesë të opozitës kanë deponuar në Kuvend dorëheqjet e tyre të kushtëzuara, të cilat Kuvendi duhet t’i konstatojë nëse shumica parlamentare vendos të shkojë në zgjedhje më pesë qershor.
 
“Nëse Kuvendi shpërbëhet, përkatësisht nëse vendos që të zbatohet vendimi i Kuvendit të RM-së, i miratuar më 23 qershor, me të cilin bëhet ndryshimi i vendimit për shpërbërjen e Kuvendit, i miratuar më 18 janar të vitit 2016, paraprakisht kërkojmë që të konstatohen dorëheqjet.”–thuhet në kumtesën e LSDM-së.
 
Ndryshe, vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve më pesë qershor e mbështeti vetëm shumica parlamentare. Opozita maqedonase nuk mori pjesë në votim, ndërsa PDSh nuk votoi. 
 
Atëbotë kreut i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, deklaroi se ka marrë garanci se ai do të ishte prolongimi i vetëm dhe se nuk do të ketë kërkesë tjetër nga ata për prolongimin, të shprehur në çfarëdolloj forme. Veç kësaj, Gruevski tha se ka marrë bindje të fuqishme edhe nga BDI-ja se më pesë qershor do të shkojnë në zgjedhje me ose pa LSDM-në.
 
SHPËTIM NUREDINI