Botë

Shkodër, rrezohet helikopteri, vdesin dy persona

06.04.2016 17:47

Një helikopter i Forcave të Armatosura është rrëzuar mesditën e sotme në ujërat e liqenit të Shkodrës, pranë fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe në Shqipëri...

Në bordin e helikopterit kanë qenë tre persona, ku dy prej të cilëve kanë humbur jetën. Shefi i Shtabit të përgjithshëm i Forcave të Armatosura Jeronim Bazo, dha identitetin e viktimave, ndërsa tha se helikopterët tip Cougar janë inauguruar vitin e kaluar.
 
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta të Policisë, si FNSh-ja dhe RENEA, zjarrfikësit si dhe autoambulancat mbërritën në vendngjarje për të bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë nga helikopteri. Nga Tirana u nis një helikopter kërkim-shpëtimi i Forcave të Armatosura.
 
Dëshmitarët thonë se fillimisht kanë dëgjuar një zhurmë shpërthimi në bordin e helikopterit kur ai ndodhej në ajër, ndërsa më pas, pas disa avarive, ka rënë në liqenin e Shkodrës.
 
Ndonëse nuk dihen zyrtarisht rrethanat e aksidentit, dyshohet se ai ka pësuar një defekt teknik gjatë fluturimit.
 
Fluturimi ka nisur mesditën e kësaj të mërkure, në orën 12:10, nga baza ajrore e helikopterëve në Farkë, dhe në orën 13:45 minuta helikopteri ka humbur kontaktin me kullën e kontrollit në Rinas.
 
LULJETA NDOKA