Maqedoni

Zgjedhjet e 5 qershorit, të gjithë sytë nga KShZ

06.04.2016 18:19

Raporti lidhur me progresin e të dhënave nga kontrolli në terren dhe administrativ ka nxitur një debat të ashpër midis anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve...

Ndonëse të gjithë anëtarët raportin e miratuan me konsensus, përplasja më e madhe u zhvillua midis përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së dhe atyre të LSDM-së në komision. 
 
Deri sa përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së konsideruan se puna më e madhe është kryer dhe gjithçka do të arrihet me kohë, ata të LSDM-së konsiderojnë se vetëm pjesërisht kanë përfunduar detyrimet rreth azhurnimit të listës zgjedhore.
 
“Shpresoj se nga ana e MPB-së do të mbarojë puna rreth një pyetje të vetme dhe ajo është kontrolli mbi bazën e së cilës është lëshuar vendbanim për numrin e votuesve të cilët i dërguam tek ata si të kontestueshëm.  KShZ është e gatshme të përgjigjet për një deri në dy ditë për të gjitha çështjet  e kontestueshme, të cilat thashë se kanë mbetur dhe do të kemi regjistër të pastruar zgjedhor, për të cilin do të ishim krenarë si vend.”- deklaroi anëtarja e KShZ-së nga VMRO-DPMNE, Silvana Boneva.
 
“Unë do të dëshiroja që kjo ditë të kishte 240 orë, që të mund t’i kryejmë të gjitha, por dita ka vetëm 24 orë. Fakt është se diçka mund të bëhet edhe këtu në KShZ. Përse po i minimizojmë punët? Pse po tregojmë fakte të cilat nuk janë të tilla? Vetë raporti thotë se çfarë duhet të bëhet. Unë nuk e kam të qartë se ç’farë mund të bëni vetëm për një ditë?”- theksoi anëtarja e KShZ-së nga LSDM, Violeta Duma.
 
Ndërkohë, kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Çiçakovski, ftoi institucionet për një bashkëpunim deri në fund.
 
“Në rast se institucionet nuk bashkëpunojnë deri në fund gjatë kësaj periudhe, dëshiroj t’i them gjithë opinionit se do të mendohem dy herë nëse do ta nënshkruaj  Regjistrin zgjedhor. Duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se jemi të thirrur që ngushtë të bashkëpunojmë me institucionet të cilat do të duhet për një pjesë të çështjeve të kryejnë kontrolle shtesë, ndërsa për një pjesë edhe pas kontrolleve shtesë nuk do ta shmangim dyshimin, do të duhet të veprojnë sipas procedurave gjegjëse, me qëllim  që ne të kemi bazë juridike për të vepruar.”- u shpreh kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
 
Ndryshe, në bazë të raportit, i cili nuk është përfundimtar, është konstatuar se në Regjistrin zgjedhore ka 1.129 persona të vdekur, për të cilët KShZ ka kërkuar të fshihen.
 
Gjithashtu është vërtetuar se nga gjithsej 41.863 kërkesa për kontroll të letërnjoftimeve, MPB ka kontrolluar 19.689 apo 41 për qind.
 
Nga gjithsej 68.695 kërkesa për kontrolle të pajisjeve për udhëtim janë kontrolluar 8.519, gjegjësisht 12.4 për qind. 
 
NAIM RAMADANI