RDK : Zgjedhjet pa zgjidhje, janë fund i demokracisë në vend
Rilindja Demokratike Kombëtare nuk do të marr pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit përderisa fillimisht nuk ofrohen zgjidhje për një funksionim normal të shtetit...

“Rilindja Demokratike Kombëtare në kontinuitet ka theksuar se zgjedhjet në asnjë variant nuk mund të ofrojnë zgjidhje, përkundër tandemit VMRO-BDI, dhe shumë analistëve tjerrë, që vazhdojnë të mendojnë se zgjedhjet do të ofrojnë zgjidhje. Qëndrimi se zgjedhjet nuk mund të ofrojnë zgjidhje argumentohet fuqishëm nga organizimi i zgjedhjeve të parakohëshme që janë mbajtur në 10 vitet e fundit, ku zgjedhje kemi patur me bollëk, por sot e kësaj dite qytetarët e këtij vendi nuk kanë parë zgjidhje.
Rilindja Demokratike Kombëtare mban qëndrim të prerë se vendi ka nevojë për zgjidhje imediate të problemeve kruciale në vend. Duke patur parasyshë se ekziston një kaos i vërtetë me pastrimin e listës zgjedhore, reformave në media, si dhe injorimit total të rekomandimeve të raportit Pribe, atëherë bëhet mëse e qartë se vendi është shumë larg zgjedhjeve demokratike. Nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin se institucionet e vendit janë para një shkatërrimi total nga mungesa e paparë e sundimit të ligjit në vend, atëherë zgjedhjet e njëanëshme të 5 qershorit do të jenë një varrosje totale e demokracisë. Vendi, më shumë së gjithëçka tjetër ka nevojë urgjente për fuqizimin e institucioneve dhe rikthimin e sundimit të ligjit sepse në të kundërtën pasojat do të jenë të jashtëzakonshme për vendin dhe shoqërinë në përgjithësi”, thuhet në reagimin ne RDK-së.
