Presidenti Thaçi betohet para Kuvendit të Kosovës
Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, sot dha betimin para Kuvendit të Kosovës...

Kjo seancë u bojkotua nga tri partitë opozitare. Thaçi do ta pasojë në postin e shefit të shtetit presidenten, Atifete Jahjaga.
Në këtë ceremoni, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti betohet se do të angazhohet me gjithë fuqinë e tij për ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Presidenti betohet po ashtu se do të sigurojë liritë dhe të drejtat njerëzore e qytetare, respektimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjen e paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Me dhënien e betimit nuk do të përmbyllet ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri të Kosovës. Nesër, në sheshin “Skënderbeu” do të organizohet një ceremoni festive solemne, në të cilën do të shënohet dorëzim-pranimi i detyrës nga presidentja, Atifete Jahjaga, te presidenti i ri Thaçi, ku presidenti i ri do të mbajë edhe fjalimin inaugurues.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të Kosovës dhe mysafirë nga një numër i madh i vendeve të botës.
