Kriza e refugjatëve, 12 mijë ende gjenden në kampin në Idomeni

07.04.2016 14:02

12 mijë refugjatë vazhdojnë të mbipopullojnë kampin në Idomeni në Greqi...

Kushtet në të cilat ata jetojnë janë të tmerrshme. Por, megjithatë, shumica prej tyre refuzojnë të largohen në kampet e tjera me shpresën se kufiri me Maqedoninë do të hapet shpejt dhe kështu do vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Evropës.

“Jeta këtu është shumë e vështirë, është e pamundur. Nëse kjo vazhdon, më mirë po kthehem në Siri e po vdes atje.”- deklaroi refugjati nga Siria, Ibrahimi.

“Shumë familje kërkojnë rrugët alternative drejt Evropës. Ne e dimë që shumë njerëz janë zhdukur në këto rrugë, nuk dimë më asgjë për ta. Ka shumë rrugë ilegale, nga toka, nga deti. Maqedonia, Serbia, Kroacia, Austria, të gjitha kanë mbyllur kufijtë. Por, është hapur rruga e Italisë.”- tha refugjati nga Iraku, Samara.

Në Idomeni çdo ditë mbijnë tenda të reja. Por, organizatat humanitare e kanë të vështirë të furnizojnë gjithë këta njerëz.

“Koha ndryshon shpesh, kishim javë me shi. Refugjatët kërkojnë çdo ditë rroba dhe ushqim. Ju kemi dhënë edhe mjete për të larë rrobat, por mungojnë kushtet për njerëzit, është vështirë që ata të pastrohen normalisht.”- tha koordinatorja e vullnetarëve, Katrine Sanaker.

Por, refugjatët në Idomeni nuk janë pjesë e planit të ri të BE-së për kthim në Turqi. Ky plan përfshin aktualisht emigrantët në kampet zyrtare në Lesbos dhe Kios. Që nga fillimi i implementimit të planit, 202 refugjatë, kryesisht nga Pakistani, janë kthyer nga Greqia në Turqi.

Qeveria greke, gjithsesi, nuk e ka ndërmend t’i largojë me forcë refugjatët nga kampi në kufirin me Maqedoninë. 1000 janë larguar vetë për shkak të kushteve të rënda për jetë. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)