Platformat ekonomike të partive, OEMVP takon përfaqësues të Lëvizjes BESA
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ka vazhduar takimet konsultative me subjektet politike në vend...

OEMVP priti sot përfaqësuesit e Lëvizjes BESA. Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, tha se nuk mund të definohet platforma ekonomike e partive pa marrë në konsideratë propozimet e biznesit. Nga Lëvizja BESA thonë se kanë dëgjuar propozimet e OEMVP-së dhe bizneseve që ajo përfaqëson dhe diskutuan që të njëjtat t’i përfshijnë në programin e tyre zgjedhor.
“Jemi këtu me Lëvizjen BESA, si me të gjitha partitë politike para saj dhe pastaj me ato që do të pasojnë, për të dëgjuar zërin dhe për të artikuluar kërkesat e biznesit për një platformë ekonomike të mirëfilltë dhe afatgjate, dhe për një stabilitet ekonomik të të gjithë rajonit tonë.”- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
“Jemi në hapësirat e Odës Ekonomike që këtë ofertë apo orientimet tona programore t’i bisedojmë me afaristë, që në vazhdën e aktiviteteve tona si Lëvizje BESA, në kuadër të përpilimit të programit elektoral tonit për zgjedhjet që prijnë, të kemi një program, një ofertë elektorale e cila para së gjithash do të jetë në shërbim të zhvillimit ekonomik.”- tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
OEMVP konsideron se vetëm atëherë kur propozimet e biznesit të inkorporohen në platformat ekonomike të partive, do të mund të arrijmë zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe mirëqenie sociale. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
