Orav: Gjendja e mediave nuk është e mirë
Ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, shprehet kritik sa i përket gjendjes së mediave në Maqedoni...

Ai drejtoi kritika të ashpra për sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, mosrespektimit të vetërregullimit të mediave, mungesës së transparencës së financimit të mediave, gjuhës së urrejtjes dhe qasjes së kufizuar të gazetarëve për informacionet me interes publik.
“Kjo gjë duhet të ndryshojë. Mungesa e pluralizmit në media do të thotë se edhe qytetarët nuk do të kenë qasje deri te informacionet e ndryshme. Kjo po ashtu do të thotë se varroset demokracia dhe efikasiteti i institucioneve, zvogëlohet besimi i opinionit te mediat së bashku me aftësinë dhe kapacitetin e tyre që të ndikojnë si informatorë publik të asaj që po ndodh. Në parim politikanët duhet të garantojnë hapësirë të sigurt, ku mund të shprehen mendime të ndryshme.”- deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav.
Po ashtu, Orav tha se institucionet publike duhet t’i hetojnë rastet e dhunës ndaj gazetarëve, ndërsa gjyqësori duhet ta garantojë lirinë e shprehjes së tyre. Ndërsa avokati, Lazar Sandev, tha se është e papranueshme që shteti të padisë gazetarët.
“Institucionet shtetërore në disa raste janë paraqitur si paditës të gazetarëve. Kjo praktikë është e gabueshme dhe e papranueshme, sepse nuk është normale shteti të padisë gazetarët për fakte të prezantuara, sepse ata kanë dashtë të hapin debate në opinion. Detyra e organeve shtetërore është të informojnë opinionin për punën e tyre që e bëjnë dhe në rast se paraqiten pyetje ata të përgjigjen, e jo t’i padisin gazetarët për këtë.”- tha avokati, Lazar Sandev.
Euroambasadori Orav njëherit bëri të ditur se për lirinë e mediave në Maqedoni BE ka ndarë grande prej 2 milionë eurosh, si dhe ka arritur marrëveshje me Agjencisë për shërbime audio dhe audio–vizuele për sigurimin e pajisjeve në vlerë prej 800 mijë eurosh. (Rexhep Qamili, TVM2)
