Ministri austriak Doskocil në RM, diskuton për refugjatët dhe terrorizmin
Maqedonia ka rol udhëheqës në sigurimin e kufijve, jo vetëm në të ashtuquajturën “ Rutë ballkanike” e emigrantëve, theksoi ministri austriak i Mbrojtjes dhe Sportit, Hans Peter Doskocil, pas takimit të sotëm me ministrin e Mbrojtjes, Zoran Jolevski...

Ky i fundit potencoi se Maqedonia me kujdes ndjek zhvillimin e situatës me krizën e emigrantëve dhe janë duke u bërë analiza për atë që po ndodh në rajonin më të gjerë, në Siri, Irak dhe në Turqi.
Në pyetjen e gazetarëve nëse pritet eskalim i kufirit nëse Greqia e mbyll kampin në Idomeni, Jolevski u përgjigj se kriza e emigrantëve kontribuoi për përforcimin e kontakteve dhe bashkëpunimit me Greqinë.
Jolevski dhe Doskocil njoftuan se pas takimit në Vjenë javën e kaluar është duke u përgatitur dokument i përbashkët me qëndrime të përbashkëta të vendeve të së ashtuquajturës “Rutë ballkanike” për tejkalimin e krizës së emigrantëve, dokument të cilin ministri austriak i Mbrojtjes do ta prezantojë në takimin ministror javën e ardhshme në Luksemburg.
Doskocil gjithashtu porositi se nuk duhet mbyllur sytë para kërcënimeve të mundshme terroriste dhe bëri thirrje për bashkëpunim më intensiv në nivel bilateral dhe multilateral, si dhe për bashkëpunim institucional për ballafaqim me këtë çështje.
