Botë

Hashim Thaçi betohet në Kuvend si president i Kosovës

07.04.2016 15:25

Me betimin në Kuvendin e Kosovës, Hashim Thaçi zyrtarisht mori detyrën e presidentit...

Ai me këtë rast para deputetëve dhe korit diplomatik premtoi se si president do të punojë me ndërgjegje dhe përgjegjësi në interes të të gjithë qytetarëve, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. 

“Betohem se tërë fuqinë time do të ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të drejtave njerëzore të qytetarëve, respektimit dhe mbrojtjes së kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje dhe përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mija. Betohem.”- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Ai po ashtu premtoi se do të jetë faktor unifikues politik dhe qytetar në integrimin evropian të Kosovës, liberalizimin e vizave, formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
 
Po ashtu ai tha se do të angazhohet që Kosova të jetë pjesë e të gjitha organizmave ndërkombëtarë, përfshi edhe anëtarësimin në OKB. Ai e falënderoi për punën e deritanishme presidenten, Atifete Jahjaga, ndërsa nuk la pa përmendur veprën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe dëshmorëve të kombit.
 
Thaçi u betua pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët nuk ishin të pranishëm në Kuvend as në zgjedhjen e tij.
 
Ndërsa, derisa Thaçi mbante fjalimin e tij të parë si president, disa të rinj kanë hedhur gurë në drejtim të Kuvendit, me ç’rast janë thyer disa xhama.
 
Ceremonia e marrjes së detyrës së presidentit nga ana e Hashim Thaçit do të vazhdojë edhe të premten, për kur është paraparë një ceremoni me rreth 1.300 të ftuar në sheshin "Skënderbeu" të Prishtinës, ku pritet të marrin pjesë edhe politikanë të shumtë nga vendet e rajonit dhe botës. 
 
GYLTENE SINANI