Maqedoni

Partitë e vogla opozitare paralajmërojnë bojkot

07.04.2016 16:51

Rilindja Demokratike Kombëtare bën të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje....

Nga kjo parti vlerësojnë se fillimisht duhet të ofrohen zgjidhje për funksionim normal të shtetit. 
 
“Duke pasur parasysh kaosin me pastrimin e Listës zgjedhore, reformat në media, si dhe injorimin total të rekomandimeve të Raportit të Pribesë, bëhet më se e qartë se vendi është shumë larg zgjedhjeve demokratike. Nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin se institucionet e vendit janë para një shkatërrimi total nga mungesa e sundimit të ligjit, atëherë zgjedhjet e njëanshme të pesë qershorit do të jenë një varrosje totale e demokracisë.”- thuhet në kumtesën e RDK-së. 
 
Edhe nga Lëvizja BESA vlerësojnë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve dhe se Maqedonia nga kriza e thellë politike ka shkuar më tej dhe tash është buzë greminës. 
 
“Qëndrimi i Lëvizjes BESA ka qenë konsekuent se më e rëndësishme se data e mbajtjes së zgjedhjeve është krijimi i kushteve për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Sot lehtë mund të konstatohet se nuk janë krijuar kushtet për zgjedhje të lira, andaj përcaktimi i datës për zgjedhje duhej të negociohej dhe të ketë konsensus rreth datës së zgjedhjeve, e jo në mënyrë të njëanshme të shpërbëhet Kuvendi.”- thuhet në deklaratën e Lëvizjes BESA për BotaSot.
 
Mospjesëmarrjen në zgjedhje e paralajmërojnë edhe nga UNITETI. 
 
“UNITETI nuk hyn në zgjedhje pa u realizuar pikat kyçe të Marrëveshjes së Përzhinës, pastrimi i Listës zgjedhore, reformat në media dhe ndarje të partisë nga shteti, sepse nuk dëshiron që me pjesëmarrjen në një proces të tillë të legjitimojë zgjedhjet të vjedhura nga ana e partive në pushtet.”- thuhet në reagimin e UNITETIT.  
 
Qëndrim për të mos dalë në zgjedhje ka marrë edhe Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë.    
                                                                                          
“Nuk janë siguruar kushte për mbajtje të zgjedhjeve të drejta dhe demokratike dhe verifikimi i Listës zgjedhore është bërë në mënyrë joserioze, prandaj RDM-ja nuk ka asnjë bazë për ta ndryshuar këtë vendim, i cili është rivërtetuar në mbledhjen e mbrëmshme të Komitetit ekzekutiv.”- thonë nga partia e Liliana Popovskës. 
 
Qëndrim të ngjashëm kanë edhe nga Lidhja Demokratik e Pavle Trajanovit. 
 
“Pa përgjegjësinë e autorëve të krizës, pa pastrimin e listës zgjedhore, pa reformat në media, në sistemin gjyqësor dhe pa ndarjen e shtetit nga partia, nuk ka kushte për zgjedhje fer, demokratike dhe të besueshme. Qëndrimi i Lidhjes Demokratike është i qartë, se pa plotësimin e kushteve nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit.”- thonë nga Lidhja Demokratike. 
 
Ndërsa nga LR-PDSh njoftojnë se Kryesia Qendrore e LR-PDSh-së nesër do të mbajë mbledhje, pas së cilës do të njoftohet opinioni për qëndrimet zyrtare të këtij subjekti politik në lidhje me aktualitetin politik.
 
ERSAN PAJAZITI