Maqedoni
Kociançiq: Për zgjedhje kredibile duhet të punohet akoma
07.04.2016 16:56
Bashkimi Evropian për së afërmi ndjek zhvillimin e situatës politike në IRJM...

Kur bëhet fjalë për zgjedhjet të cilat duhet të vijojnë për dy muaj, megjithëse është arritur progres në përgatitjet zgjedhore, akoma duhet të punohet, në mënyrë që të jepet siguria se zgjedhjet mund të jenë kredibile dhe në pajtueshmëri me standardet.
Kështu ka deklaruar sot zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiq, duke komentuar situatën politike pas vendimeve institucionale të një dite më parë.
“Të gjithë e dimë se ekziston krizë politike të cilën e lehtësuam bashkë me partnerët. Është me rëndësi për shtetin, por në rend të parë për qytetarët është që kjo krizë të zgjidhet në mënyrë të suksesshme. Shpresojmë se partitë politike do të mbesin të përkushtuar në këtë ambicie, të përkushtuar në këtë qëllim dhe përfundimisht të përkushtuar në atë që është arritur në marrëveshje, në veçanti në pjesën e zgjedhjeve, por edhe në pjesën e reformave prioritare, të cilat para së gjithash janë në interes të shtetit dhe qytetarëve.”- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiq.
Ndërkaq, eurodeputeti, Ricard Hovit, për portalin “Meta” ka thënë se data e mbajtjes së zgjedhjeve dhe kualiteti demokratik i procesit zgjedhor nuk mund të shihen të ndara.
Ai gjithashtu ka përsëritur se gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni, partive politike ua ka theksuar nevojën që para se të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare të pastrohet Lista zgjedhore dhe të vazhdojnë reformat në media.
Lidhur me qëndrimin e LSDM-së, se kjo parti nuk do të shkojë në zgjedhjet e 5 qershorit, Hovit nuk ka dhënë mendim personal pa u konsultuar me kolegët e tij në PE.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
