Maqedoni

Selmani: Maqedonia futet në krizë tjetër

07.04.2016 17:06

Shpërbërja e Kuvendit pa dakordim mes katër subjekteve nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës po e fut vendin në një krizë tjetër edhe më të thellë...

Shpërbërja e Kuvendit pa dakordim mes katër subjekteve nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës po e fut vendin në një krizë tjetër edhe më të thellë, thotë profesori universitar, Bashkim Selmani. Sipas tij, zgjedhjet e njëanshme nuk janë zgjidhje për krizën politike.  
 
“Realisht, sa i përket këndvështrimit juridik, Parlamenti bëri shpërbërjen e tij në bazë të afateve dhe Marrëveshjes së Përzhinës, mirëpo nga ana tjetër e njëjta nuk u realizua, dhe tani më, me mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, nënkupton që është shembje e demokracisë dhe Maqedonia po futet në krizën e dytë reale.”- deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Sipas Selmanit, zgjedhjet nuk do të pranohen nga faktori ndërkombëtar pa pjesëmarrjen e opozitës, ndërkaq zhvillimet brenda shtetit janë të paparashikueshme, pasi, sipas tij, opozita nuk është një parti minore, e cila mund të anashkalohet. 
 
“Pra, ka tri elemente: cenimi i demokracisë, mosjetësimi i saj dhe në rast se shkohet në zgjedhje me kë do të zgjidhet sfida. Ky është problemi esencial, kur e dimë se fitoren me këtë listë të papastruar e ka vetëm VMRO dhe pushteti aktual.”- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Ndryshe, Kuvendi u shpërbë një ditë më parë pa pëlqimin e partive opozitare.
 
SHPËTIM NUREDINI