Maqedoni

Bogov: Në “Panama pejpers” kompanive u lejohen llogari bankare

07.04.2016 17:17

Kompanitë e Maqedonisë kanë mundësi të kenë llogari dhe të investojnë jashtë vendit qoftë edhe në parajsa tatimore si Panamaja...

Kompanitë e Maqedonisë kanë mundësi të kenë llogari dhe të investojnë jashtë vendit qoftë edhe në parajsa tatimore si Panamaja, ndërsa një mundësi të tillë nuk e kanë personat fizik, deklaroi guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov.
 
Në pajtim me Ligjin për punë devizore, personat fizik nuk kanë të drejtë të kenë llogari jashtë vendit dhe nëse zbulohet se kanë kompani “off shore” dhe llogari në "Panama pejpers", personat të cilët kanë vetëm shtetësi të Maqedonisë, për ta do të duhet të hapet hetim nga Agjencia për pengimin e larjes së parave, Policia financiare dhe Drejtoria e të ardhurave publike.
 
Por, Bogov thotë se është e vështirë të sigurohen dëshmi për këta persona, pasi bankat ruajnë fshehtësinë e klientëve.
 
"Asnjë bankë qendrore në botë nuk mund të sigurojë dokumente për raste si ‘Panama pejpers’. Dokumentet e tilla sigurohen me marrëveshje dhe kontrata ndërkombëtare. Bankat qendrore nuk mund të kërkojnë dhe prej atje të marrin të dhëna. Ka ligje të cilat e rregullojnë atë çështje dhe nuk lejojnë zbulimin e të dhënave personale dhe fshehtësive bankare."- deklaroi guvernatori i Republikës së Maqedonisë, Dimitar Bogov.
 
Ai theksoi se paratë që paraqiten në raste si "Panama pejpers" shpesh janë nxjerrë në mënyrë ilegale, e jo përmes transaksioneve bankare.
 
Maqedonia ka të hyra, por edhe të dala nga destinacione siç është Panamaja, siç ka edhe nga të gjitha destinacionet e tjera.
 
Të dalat të cilat ndodhin janë bërë përmes sektorit bankar dhe janë tërësisht legale. BPRM kryen kontrolle në banka, i kontrollon transaksionet dhe nëse zbulon parregullsi, banka bartë pasoja serioze, ndërsa sa i përket qarkullimin pagesor me jashtë, tërësisht duhet ta respektojnë rregullativën ekzistuese ligjore për qarkullimin pagesor me jashtë dhe punën devizore, theksoi Bogov.
 
Bogov këto komente i bëri në konferencën e pestë ndërkombëtare me temë: "Efektet bartëse nga cikli ekonomik dhe financiar, rishqyrtimi i kanaleve vendore dhe tejkufitare dhe përgjigjet e politikave", që sot dhe nesër mbahet në Shkup me rastin e shënimit të përvjetorit të pavarësimit monetar të Maqedonisë.
 
GAZMEND KURTISHI