Maqedoni
Rasti “Kumanova”, vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtur
07.04.2016 17:38
Të akuzuarit për rastin e “Kumanovës” më nëntë dhe 10 maj sërish u paraqitën në sallën e gjyqit...

Të akuzuarit për rastin e “Kumanovës” më nëntë dhe 10 maj sërish u paraqitën në sallën e gjyqit, por edhe kësaj radhe për të dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur të propozuar nga prokurori publik, pasi që në seancën e fundit pas dëgjimit të dëshmitarit të parë, për shkaqe teknike u ndërpre seanca.
Nga Gjykata Penale nuk mund të saktësojnë se deri kur seancat do të mbahen me dyer të mbyllura, sepse gjithçka varet nga ritmi i marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
Por, sipas avokatëve, Prokuroria ka ftuar rreth 40 dëshmitarë të mbrojtur dhe pas mbarimit të marrjes në pyetje të të gjithë dëshmitarëve të mbrojtur, një numër të madh të dëshmitarëve ka ftuar edhe pala mbrojtëse.
Në seancat e mëparshme dëshmuan policët e stacionit policor Gushincë, të afërmit e policëve të vdekur, si dhe banorët e Lagjes së Trimave. 29 të akuzuarit ngarkohen me veprën penale terrorizëm dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste.
Por, sipas palës mbrojtëse, rasti i “Kumanovës” duhet t'i dorëzohet Prokurorisë Publike Speciale, sepse motivi, siç thonë ata, nuk është terrorizëm dhe të pandehurit janë viktima të një skenari tjetër.
SANIJE DURAKU
