Maqedoni

Shpërbëhet Kuvendi, zgjedhjet më pesë qershor, Veljanovski: Zgjedhjet do t’i shpall më 15 prill

07.04.2016 17:55

Kuvendi i Maqedonisë mbrëmë vonë me prezencën vetëm të deputetëve të VMRO–DPMNE-së u shpërbë për t’i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme të pesë qershorit...

Kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, nëpërmjet një komunikate tha se zgjedhjet do t’i shpallë më 15 prill. 
 
“Në pajtim me vendimin për shpërndarjen e Kuvendit, unë si kryetar i Kuvendit, duke u bazuar në kornizat kushtetuese, vendosa që vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ta nënshkruaj më 15 prill, ndërsa zgjedhjet të mbahen më pesë qershor.”- tha Veljanovski në kumtesën me shkrim. 
 
Zgjedhjet në këtë datë janë kundërshtuar nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, ndërkaq ftoi partnerët e koalicionit, partitë, sektorin civil dhe qytetarët t’i bashkëngjiten platformës së tyre për kthimin e lirisë dhe demokracisë në vend, duke mos përjashtuar edhe protestat në rrugë. “Ose Gruevski ose Maqedonia.”- tha Zaev.
 
“Sot bëj thirrje për krijimin e një fronti të gjerë qytetarë, për një Maqedoni të lirë kundër Nikolla Gruevskit. Bashkë me qytetarët të kthejmë demokracinë, ta sjellim lirinë. Kjo tani nuk është pyetje e përzgjedhjes personale por në pyetje është Maqedonia dhe e ardhmja e saj.”- theksoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Zaev tha se po shqyrtohen të gjitha mekanizmat ligjore për tërheqjen e ministrave të tyre nga qeveria teknike. Nesër pasi të analizohet e gjithë situata me partnerët e koalicionit, do të vendosin edhe për tërheqjen ose jo të anëtarëve të tyre nga KShZ. 
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i liderit të VMRO–DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Sipas tij, Zaev u ik zgjedhjeve pasi që është i bindur në humbje. Sipas tij, zgjedhjet janë rrugëdalja e vetme nga kriza e krijuar dhe për mbajtjen e tyre ka kushte.
 
“Kushte për zgjedhje ka dhe ato do të mbahen. Më vjen keq për konferencën e mbrëmshme për media të Zaevit. Sinqerisht, shpresoj se do ta ndryshojë vendimin. Ftoj që ta bëjë këtë! Kjo nuk është betejë e Gruevskit dhe Zaevit. Kjo është betejë për Maqedoninë. Apeloj atë që sinqerisht të mendojë pa marrë parasysh mendimin e tij personal për mua. Populli do zgjedhje, populli do që kriza të përfundojë, populli do që shteti të shkojë para. Mjaft më!”- u shpreh lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë për Alsat-M tha se nuk ka alternativë tjetër përpos që zgjedhjet të mbahen më pesë qershor. Ai ka ftuar liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, për pjesëmarrje në zgjedhje për të mirën e ardhmërisë së vendit. 
 
PDSh akoma është pa qëndrim konkret.
 
MERAL ISMAILI