Kriza, rinis kthimi i refugjatëve nga Greqia në Turqi
08.04.2016 10:44
Një valë e dytë emigrantësh po kthehen nga Greqia në Turqi, si pjesë e marrëveshjes me BE-në për të reduktuar numrin e atyre që mbërrijnë në Evropë...

Disa autobusë plot me emigrantë i dërguan ata në portet e ishujve grekë, nga ku nën shoqërimin e policisë u nisën drejt Turqisë.
Sirianët e kthyer do të vendosen në kampe refugjatësh për të zëvendësuar sirianët që merren nga BE, ndërsa ata që nuk janë sirianë do të çohen në qendra deportimi për t’u kthyer në vendet e tyre.
Sipas autoriteteve greke, rreth 145 emigrantë u nisën drejt Turqisë, por numri i atyre që kthehen është ende shumë i vogël në krahasim me ata që vazhdojnë të mbërrijnë ilegalisht në Greqi.
Në fillim të kësaj jave, nga Greqia u nis një grup prej rreth 200 personash në Turqi, por më pas procesi u ndal, pjesërisht për shkak të rritjes së kërkesave për azil në Greqi. Sipas planit të BE-së dhe Ankarasë, emigrantët që mbërrijnë ilegalisht në Greqi pas 20 marsit do të kthehen në Turqi nëse nuk aplikojnë për azil, ose nëse kërkesa e tyre refuzohet.
Për secilin sirian që kthehet, BE do të pranojë një tjetër sirian që ka bërë një kërkesë të ligjshme.
Më herët, presidenti i Turqisë, Erdogan, tha se vendi i tij do ta implementojë marrëveshjen me BE-në vetëm nëse Brukseli respekton angazhimet e tij që janë 3 miliardë euro shtesë për Turqinë, përshpejtimi i anëtarësimit në BE dhe aplikimi i udhëtimit pa viza për turqit deri në qershor.
Kthimi i emigrantëve në Turqi ka alarmuar grupet për të drejtat e njeriut, që thonë se Turqia nuk është një vend i sigurtë.
“Amnesty Internatioanl” akuzoi Ankaranë se kthen sirianë në Siri në mënyrë të jashtëligjshme, diçka që Turqia e mohon. “Amnesty Internationa” tha se nuk ka fare informacion për emigrantët në ishujt grekë që nuk kanë akses në ndihmë ligjore dhe nuk dihet se cili do të jetë fati i tyre.
REXHEP QAMILI
