Marrëveshja e Përzhinës, Mogerini: Korniza e vetme për dalje nga kriza

08.04.2016 12:18

Bashkimi Evropian po ndjek nga afër zhvillimet politike në Maqedoni...

Pas ditës së djeshme, ku u shpalosën qëndrimet pro dhe kundër të partive politike më të mëdha në vend rreth mbajtjes apo jo të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 5 qershor, përfaqësuesja  e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, ka përsëritur se korniza e definuar me Marrëveshjen e Përzhinës është vendimi i vetëm real i krizës së rëndë me të cilën ballafaqohet vendi.

Mogerini ka realizuar disa biseda telefonike me liderin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Sipas një kumtese të lëshuar për media nga selia e LSDM-se, thuhet se të dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord që Maqedonisë i nevojiten zgjedhje kredibile me listë zgjedhore të pastruar, reforma mediale dhe pa presione.

Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, e ka njoftuar Mogerinin se “opozita nuk i tërhoqi deri më tani anëtarët e KShZ-së për ta siguruar praninë e saj dhe kontrollin në proces dhe të parandalojë manipulime dhe keqpërdorime të mundshme", thuhet  në kumtesën e lëshuar nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.