Maqedoni
Dita Ndërkombëtare e Romëve, ngrihet flamuri rom para objektit të komunës së Kërçovës
08.04.2016 16:04
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, sot përpara objektit të komunës së Kërçovës u ngrit flamuri i komunitetit rom...

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, sot përpara objektit të komunës së Kërçovës u ngrit flamuri i komunitetit rom, i cili tani e tutje do të valëvitet së bashku me simbolet kombëtare të bashkësive tjera etnike të Kërçovës.
Iniciativa vjen nga Asociacioni për zhvillim demokratik të romëve me seli në Tetovë.
“Ishte nder dhe kënaqësi që në hapësirat përpara objektit të komunës, për herë të parë të eksponohet edhe flamuri i komunitetit rom”, potencoi përfaqësuesi i komunës së Kërçovës, Sejdin Abazi, i cili i përgëzoi pjesëtarët e nacionalitetit rom në emër të kryetarit, Fatmir Deharit.
Ai vuri në dukje edhe angazhimin permanent të komunës për mbështetjen e aktiviteteve për zhvillim arsimor, ekonomik dhe kulturor të komunitetit rom.
Aktivitetet për shënimin e kësaj dite kanë filluar prej ditës së djeshme, ku në sheshin e Kërçovës u prezantua referati kushtuar zhvillimeve historike, kulturore dhe arsimore të romëve, si dhe koncerti me këngë e valle popullore të përgatitura nga Shoqëria Kulturo Artistike “Bidade”.
Manifestimi është mbështetur nga komuna e Kërçovës dhe kryetari i saj, Fatmir Dehari, të cilit përfaqësuesit e shoqatave rome që veprojnë në Kërçovë i shprehën mirënjohje për mbështetjen që ai e jep për bashkësinë etnike rome në Kërçovë.
SHABAN DALIPI
