Kriza politike, ambasadorët Bejli e Orav: Ende keni shumë punë, respektoni marrëveshjen
Pas vendimeve politike të ditëve të fundit, me qëndrim kanë dalë diplomatët e SHBA-ve dhe BE-së, Jess Baily dhe Aivo Orav...

Përmes një komunikate të përbashkët, ata kanë ftuar palët e partive politike që të zbatojnë reformat dhe ta çojnë vendin drejt integrimeve euroatlantike.
Por, ata paralajmërojnë liderët politik se ende kanë shumë punë para tyre.
“BE dhe ShBA i përkrah të gjitha partitë dhe pjesëmarrësit e tjerë në punimet për krijimin e kushteve për zgjedhje të besueshme. Kjo nënkupton pastrimin e Listës Zgjedhore, parandalimin e çfarëdolloj forme të frikësimit ose trysnisë ndaj votuesve dhe sigurimin e mbulimit të drejtë mediatik gjatë periudhës së zgjedhjeve për të gjitha partitë. Janë bërë disa përparime në këto fusha, por megjithatë ende ka shumë punë. Përgjegjësi nuk kanë vetëm institucionet shtetërore që të sigurojnë zgjedhje të besueshme, por edhe i partive politike. Më 6 prill u lëshua një mundësi e tillë.”- thuhet në deklaratën e përbashkët.
Sё bashku me partnerët tjerё ndёrkombёtarë, BE dhe ShBA do tё vazhdojnë tё mbёshtesin zhvillimin demokratik, që përfshin edhe zgjedhjet, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadorëve, Bejli dhe Orav.
Ka reaguar edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Federika Mogerini. “Punoni bashkë që të krijoni kushte për zgjedhje të besueshme, vetëm kjo është në interes të shtetit dhe qytetarëve”, tha ajo.
"Pas ngjarjeve të fundit në IRJ të Maqedonisë, posaçërisht lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në qershor, bisedova me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev. Gjatë bisedës që pasoi pas disa kontakteve me komisarin, Johanes Han, dhe Delegacionin e BE-së në Shkup, u dakorduam se është e domosdoshme që të gjitha partitë politike të vazhdojnë të punojnë së bashku për sigurimin e zgjedhjeve kredibile në interes të shtetit dhe të qytetarëve."- thuhet në deklaratën e shkruar të Mogerinit që e publikoi mbrëmë kabineti i saj.
Implementimi i Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformat prioritare mbeten me rëndësi thelbësore për vendin, shtoi Mogerini.
"Në atë kontekst zbatimi i marrëveshjeve politike, përfshirë edhe prioritetet urgjente reformuese, është me rëndësi kyçe. Së bashku me ShBA-në i mbështetëm të gjitha partitë dhe palët e prekura në këto përpjekje dhe do të vazhdojmë ta bëjmë atë edhe në javët e ardhshme kyçe. U bëjmë thirrje të gjitha partive që të mbeten tërësisht të përkushtuara në procesin e dakorduar."- thotë Federika Mogerini në reagimin e saj. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
