Botë
Inaugurohet presidenti i Kosovës, Thaçi: I nderuar që jam president i heronjve
08.04.2016 16:31
Presidenti i ri i Republikës së Kosovës u inaugurua sot zyrtarisht në një ceremoni në sheshin “Skëndërbeu” të Prishtinës...

Për t’i uruar Hashim Thaçit postin e ri, të pranishëm në ceremoni ishin presidentë, kryeministra, ministra e ambasadorë të vendeve mike të Kosovës, përfshi edhe delegacioni shqiptar me në krye presidentin Nishani, kryeministrin Rama dhe kreun e Parlamentit Meta, si dhe liderët e partive shqiptare të Maqedonisë, Ali Ahmetin e Menduh Thaçin.
Në mënyre simbolike paraardhësja e tij, Atifete Jahjaga, i dorëzoi Thaçit kushtetutën e vendit, për të cilën ai premtoi se do jetë rojtar i saj. Thaçi u shpreh krenar që është president i një populli heronjsh.
“Për disa qytetarë sot politika është bërë një fushëbetejë monotone në mes liderëve, për ta ajo ende nuk sjellë shpresë për vende të reja të punës për progres ekonomik dhe mirëqenie sociale. Qytetarët me të drejtë kanë shprehur sot se të rinjtë kanë nevojë për shpresë dhe besim, të diplomuarit kanë nevojë që dija e tyre të shpërblehet, pensionistët kanë nevojë jetike të sigurohen se kontributi i tyre nuk do të injorohet, prandaj do të punojmë që transicioni ekonomik të shkojë me hapa po aq të shpejtë, si transicioni politik që e kemi përjetuar… Sot kujtojmë sakrificën legjendare të komandantit, Adem Jashari, kujtojmë edhe përpjekjet për lirinë e vendit të presidentit Rugova, por kam qenë gjithmonë i bindur se një ditë ky popull do të dalë në dritë, do ta fitojë lirinë… Beteja e sotshme është që t’i bëjmë krenarë fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë me shtetin e tyre, me kualitetin e tyre të jetës të sigurojmë që së shpejti mund të lëvizim lirshëm në Evropë, t’i bëjmë pjesë thelbësore të projektit të shtetit të së drejtës… Si president i Republikës së Kosovës, si president i një populli heronjsh unë besoj në shtetin tonë dhe në ardhmërinë e tij të sigurt. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj, Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës.”- deklaroi presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Ceremonia u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Të gjitha rrugët që të çonin për në sheshin kryesor të qytetit ishin të bllokuara dhe forca të shumta policore ndodheshin pothuajse gjithandej.
Para fillimit të ceremonisë në shesh u hodh gaz lotsjellës. Në lidhje me ngjarjen Policia e Kosovës ka vënë në pranga tre persona si të dyshuar kryesorë. Të ndaluarit, sipas policisë, kanë pasur çanta me vete, ku dyshohet se aty ruanin gazin lotsjellës.
BELINDA KOKA ADEMI
