Maqedoni

Maqedonia bëhet me regjistër grafik të tokave ndërtimore

08.04.2016 17:05

Maqedonia prej sot bëhet me regjistër grafik të tokave ndërtimore që do të mundësohet qasje e shpejtë dhe e thjeshtë në çdo kohë deri te dokumentacioni planor urbanistik...

Maqedonia prej sot bëhet me regjistër grafik të tokave ndërtimore që do të mundësohet qasje e shpejtë dhe e thjeshtë në çdo kohë deri te dokumentacioni planor urbanistik, ndjekjen e realizimit të planeve urbanistike, si dhe mundësia që qytetarët në çdo kohë të mund të shohin se çka është planifikuar të ndërtohet në parcelat e tyre.
 
Përfitim nga ky mjet i ri i kadastrës do të kenë të gjitha palët e involvuara, duke filluar nga planifikuesit deri te komunat dhe qytetarët. 
 
“Qëllimi kryesor i regjistrit grafik të tokave ndërtimore është transparenca, saktësia, efikasiteti i sjelljeve të planeve urbanistike, realizimi i tërësishëm i parcelave ndërtimore, si dhe dhënia e shpejtë dhe efikase e të dhënave të tokave ndërtimore dhe me këtë pritet që të ketë dhe investime të reja në ndërtimtari.”- deklaroi drejtori i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, Sllavçe Tërpeski.
 
Deri tani në regjistër janë futur 477 plane urbanistike dhe dokumentacione planore urbanistike të dorëzuara nga komunat. 
 
Nga Agjencia për kadastër të patundshmërisë apelojnë që komunat të cilat ende nuk kanë dorëzuar plane urbanistike në fuqi, atë ta bëjnë në afatin e mundshëm më të shkurtër.
 
Regjistri është i arritshëm për shfrytëzuesit profesional, siç janë: shtëpitë planore, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Agjencia për Planifikim Hapësinor, komunat dhe gjeodetët, ndërsa nga qershori i këtij viti do të jetë i arritshëm për shfrytëzim edhe për qytetarët dhe bashkësinë e biznesit. 
 
GAZMEND REXHEPI