Maqedoni
Shfuqizohen vendimet e ministrave të LSDM-së, Spasovski: Qeveria po shkel Marrëveshjen e Përzhinës
08.04.2016 17:43
Qeveria vendosi të shfuqizojë aktet e fundit të nënshkruara nga ministrat e LSDM-së...

Nga qeveria thonë se aktet juridike të ministrave të Punëve të Brendshme dhe të Punës dhe Politikës Sociale, të nënshkruara në periudhën nga 11 nëntori i vitit 2015 deri më 7 prill të këtij viti, janë kundërligjore dhe të miratuara në mënyrë të njëanshme.
Gjatë miratimit të tyre, ministrat nuk i kanë respektuar ligjet, gjegjësisht nuk i kanë miratuar aktet në pajtueshmëri me zëvendësministrin plotësues.
Qeveria urdhëron që në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale të vendoset gjendja paraprake, siç ka qenë para miratimit të këtyre akteve. Ndaj këtij vendimi ka reaguar ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
“Sot qeveria, e udhëhequr nga ministri teknik i VMRO-DPMNE-së, bëri një shkelje të re serioze të Marrëveshjes së Përzhinës dhe miratoi vendim kundërligjor për t’i shfuqizuar të gjitha aktet juridike të ministrave të miratuara para dorëzimit të dorëheqjeve. Me këtë vendim VMRO-DPMNE dhe BDI i bëjnë zgjedhjet të pamundura, sepse kjo është një qeveri teknike për zbatimin e zgjedhjeve të drejta. Të gjitha vendimet që lidhen me zgjedhjet patjetër të mbështeten edhe nga opozita. Kjo përbën një dëshmi se VMRO-DMNE dhe BDI nuk e kanë aspak qëllimin që të organizojnë zgjedhje të rregullta, fer dhe demokratike.”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Sipas Spasovskit, këtë kaos politik dhe juridik me qëllim po e krijojnë partitë në pushtet. Ndryshe, dorëheqjet e deponuara të ministrave dhe zëvendësministrave të LSDM-së nuk u konstatuan nga Qeveria dhe Kuvendi.
NAIM RAMADANI
