Botë

Belgjikë, shtohen masat e sigurisë kudo në vend

08.04.2016 17:58

Pas sulmeve në Bruksel, që shënjestruan aeroportin ndërkombëtar të qytetit dhe një stacion metroje...

Pas sulmeve në Bruksel, që shënjestruan aeroportin ndërkombëtar të qytetit dhe një stacion metroje, masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm në qendrat e transportit në Belgjikë, por edhe në të gjithë Evropën.
 
Ushtria dhe policia janë të pranishme në aeroportin “Charleroi” gjatë gjithë kohës dhe kontrollojnë njerëzit e makinat që para se të hyjnë në zonën e aeroportit, qofshin pasagjerë apo jo.
 
Aeroporti pranon 90 fluturime në ditë, 20 më shumë se zakonisht për të kompensuar disi problemet nga aeroporti “Zaventem”, i cili po punon me një të pestën e kapacitetit.
 
Në stacionin e “Eurostarit” në Bruksel, aty ku mbërrijnë trenat nga Londra dhe Parisi, forcat e sigurisë kanë shtuar kontrollet e rastësishme të njerëzve e bagazheve. 
 
Ndërkohë, në Francë, autoritetet kanë dislokuar të paktën 3 000 oficerë policie civilë dhe të armatosur në trenat e vendit për të parandaluar sulme të tjera.
 
Në Bruksel, 39 nga 69 stacionet e metrosë mbeten të mbyllura pas sulmeve të 22 marsit, pasi ka mungesë personeli sigurie për t’i mbikëqyrur.
 
Gjithnjë e më shumë fraksione politike në Evropë po kërkojnë mbikëqyrje më të rreptë të çdo pasagjeri që hyn apo del nga Evropa për të gjurmuar të dyshuarit për terrorizëm.