Botë

Sanders: Edhe një fitore ndaj Clinton

10.04.2016 13:51

Bernie Sanders fitoi garën demokrate në shtetin Wyoming, duke i dhënë edhe një tjetër shtysë fushatës së tij elektorale ndaj Hillary Clintonit...

Sondazhet e jepnin Sandersin që më herët si fitues në Wyoming, një shtet me të njëjtat tipare si ato që ai ka fituar më herët: rural, perëndimor dhe me popullsi kryesisht të bardhë.

Fitorja në Wyoming është e 8-a në 9 garat e fundit për Sanders dhe, megjithëse në shifra nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim dramatik, përbëjnë një nxitje shumë të madhe morale drejt garës shumë të rëndësishme të 19 prillit në Nju Jork.

Në Wyoming, pavarësisht se mori 55% të votave, Sanders fitoi 7 delegatë sa dhe Clintoni, e cila ruan avantazhin e saj prej thuajse 300 delegatësh.

Sanders është përqëndruar në faktin, që të mos lejojë Clintonin të grumbullojë numrin prej 2.383 delagatësh, që do t’i jepte asaj automatikisht kandidaturën presidenciale.

Nëse deri në konventën demokrate, asnjë prej tyre nuk do të ketë arritur këtë shifër, atëherë do të votojnë superdelegatët ku gjithçka është e hapur.