Basketboll
Golden State një fitore larg rekordit të Chicago Bulls
10.04.2016 15:42
Golden State është vetëm një fitore larg rekordit historik të Chicago Bulls...
Kampionët fituan mbrëmë 100-99 ndaj Memphis në fushën e këtij të fundit, duke korrur fitoren e 71-të sezonale (9 humbje), ndërkohë që rekordi i Bulls është 72 fitore e 10 humbje.
Suksesi i djeshëm erdhi në sekondat e fundit nga duart e Green, 23 pikë e 11 rebaund, më i miri në fushë për Warriors, që kanë mundësi jo vetëm të barazojnë Buills por edhe t’i kalojnë ata.
Por kanë ende edhe dy ndeshje për ta bërë këtë, e para në shtëpinë e rivalëve të San Antonios dhe e fundit sërish ndaj Memphis, këtë herë në fushën e tyre.
Në takimet e tjera të luajtura dje, spikat humbja e Oklahomës, 114-112 në fushën e Sacramento, takim me rivalitet dhe emocione deri në sekondat e fundit.
Collison me 27 pikë e Gay me 24 bënë diferencën në fushë, duke i bërë të pavlefshme 31 pikët e Durant e 24 të Westbrook.
Fiton edhe Chicago, 105-102 ndaj Cleveland, sukses që i mban ende në garë për një vend në play off, në kërkim të vendit të tetë në Lindje.
Butler realizoi 21 pikë për Bulls, ndërsa LeBron James e mbylli me 33 pikë, por që s’mjaftuan.