Botë
Kosovë - Haradinaj: Jemi kundër shkrirjes së AAK-së në “Vetëvendosje”
11.04.2016 11:56
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e vendosur të vazhdojë e vetme rrugëtimin drejt kundërshtimit të Marrëveshjes...

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e vendosur të vazhdojë e vetme rrugëtimin drejt kundërshtimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Kështu ka thënë lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, sipas të cilit organizimi i protestave nuk mund të mbetet peng i vullnetit të një partie, shkruan Koha.net.
Haradinaj ka pranuar se ka ftohje të marrëdhënieve me lëvizjen “Vetëvendosje” që prej anulimit të protestës më 25 mars. Shkak janë bërë dallimet e thella për mënyrën e bashkëpunimit të mëtejmë.
Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, Haradinaj ka thënë se propozimi i tyre ka qenë që bartësi i listës të jetë nga njëra parti, e mandatari i Qeverisë nga partia tjetër. Sipas Haradinajt, i ka takuar VV-së të zgjedhë njërin opsion.
Por, subjekti më i madh opozitar ka pasur kërkesa, të cilat Haradinaj i konsideron shkrirje të AAK-së brenda VV-së, në rast se do të pranonte.
Kreu i AAK-së ka shtuar se më nuk insiston dhe nuk e ka prioritet marrjen e postit të kryeministrit, përcjell koha.net. Ka komentuar edhe takimin e përfaqësuesve të AAK-së me partitë në pushtet.
AAK-ja dallon nga VV-ja edhe sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
