Botë

Oficeri i lartë koreano-verior dezerton në Jug

11.04.2016 13:33

Zyrtarë të Koresë së Jugut njoftuan dezertimin e një oficeri të lartë ushtarak koreano-verior, i cili ishte i angazhuar në mbikëqyrjen e operacioneve të spiunazhit...

Emri i oficerit nuk bëhet publik, por Ministria e Mbrojtjes në Seul thotë se ishte nënkolonel në Byronë e Përgjithshme të Zbulimit. 
 
Që prej fundit të luftës koreane, më shumë se 28.000 vetë janë arratisur nga vendi komunist, ku dezertimet e këtij niveli janë mjaft të rralla. 
 
Javën e kaluar, 13 koreano-veriorë që punonin në një restorant të hapur nga regjimi jashtë shtetit dezertuan në grup. 
 
Agjencia e lajmeve “Yonhap” deklaroi se, edhe një numër jo i vogël figurash politike që punonin jashtë shtetit kanë dezertuar së fundmi. 
 
Agjencia citon zyrtarë qeveritarë që thonë se këto janë shenja se regjimi i Kim Jong un po kriset. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Seul deklaroi se, Jugu nuk mund të japë informacione të mëtejshme mbi rastin e kolonelit. 
 
Por një burim i rezervuar deklaroi se, dezertori mendohet të ketë të dhëna të detajuara mbi operacionet e Penianit kundër Koresë së Jugut./Top Channel