Incidenti-reagon Athina: Maqedonia nuk ka vend në BE dhe në NATO

11.04.2016 15:33

Disa orë pas incidenteve të ndodhura në kampin provizor të Idomenit, presidenti grek, Prokopis Pavlopoulos, ka reaguar ashpër ndaj Maqedonisë...

Disa orë pas incidenteve të ndodhura në kampin provizor të Idomenit, presidenti grek, Prokopis Pavlopoulos, në pritjen që i ka bërë kryeministrit portugez, Antonio Kosta, që vizitoi Athinën, ka reaguar ashpër ndaj Maqedonisë, duke i cilësuar veprimet e autoriteteve policore të këtij vendi të pakonceptueshme dhe të papranueshme dhe ka theksuar se me një sjellje të tillë ky shtet nuk ka vend as në BE dhe as në NATO.

Më herët, qeveria greke iu drejtua Shkupit me dy nota proteste, duke dënuar operacionin e policisë së vendit fqinj kundër disa qindra emigrantëve që tentuan në mesditën e së dielës të kalojnë gardhin që ndan dy shtetet pranë fshatit Idomeni.

Jorgos Kyritsis, zëdhënësi i Qeverisë për Emigracionin, tha se “përdorimi në masë i gazit lotsjellës, i granatave tymuese dhe madje edhe plumbave të gomës pa asnjë dallim mes grave dhe fëmijëve dhe për orë të tëra, është një praktikë e mjerueshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme”.

Në një intervistë televizive sot në mëngjes, ministri grek i rendit, Nikos Toskas, duke iu referuar përdorimit të tepruar të forcës nga autoritetet e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ka deklaruar se “duhet të jemi largpamës në trajtimin e situatave të tilla. Të rrahurit e sotëm mund të bëhen xhihadistë nesër”. 

Ai ka përsëritur se deri për Pashkë, me mirëkuptim do të evakuohen drejt kampeve të organizuara një pjesë e mirë e rreth 12000 emigrantëve në Idomeni, si dhe 4500 të tjerëve që ndodhen në portin e Pireut. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)