Maqedoni

Reagon Ministria e Ekonomisë: nuk ka ndalesë të kamionëve shqiptarë

11.04.2016 15:55

Ministria e Ekonomisë ka reaguar ndaj, siç i quan, spekulimeve mediatike për ndalesë të kamionëve shqiptarë me fruta dhe perime të freskëta...

Ministria e Ekonomisë ka reaguar ndaj, siç i quan, spekulimeve mediatike për ndalesë të kamionëve shqiptarë me fruta dhe perime të freskëta në kufirin e Maqedonisë me Shqipërinë, dhe shkeljen e supozuar të Marrëveshjes së CEFTA-s.
 
Ministria e Ekonomisë informon se tregtia mes dy vendeve zbatohet në përputhje me funksionimin e CEFTA-s, respektivisht  nuk ka pasur dhe nuk ka ndalesë të kamionëve shqiptarë, por vetëm kontroll të përforcuar në vendakalimin kufitar. 
 
“Pas dyshimeve për sasi të rritur të pesticideve në produktet bujqësore, është duke u zbatuar kontroll i zgjeruar në vendkalimet kufitare, në këtë rast janë bërë analiza në 9 kamionë dhe të gjithë janë lëshuar të futen në Maqedoni. Në bazë të Marrëveshjes së CEFTA-s, në qoftë se ekziston dyshim se produktet e importuara mund të kenë sasi të madhe të pesticideve, shteteve u jepet mundësi për të ndaluar ose të kufizuar importin dhe eksportin ose transitimin e mallrave, deri në analizat përkatëse (neni 17). Kjo nënkupton sigurimin e një konfirmimi nga laboratorët e autorizuar në vend, ose nga prova e paraqitur paraprakisht pranë shërbimeve kufitare të vendit nga një laborator i autorizuar dhe ndërkombëtarisht i pranuar dhe akredituar nga Republika e Shqipërisë”.
 
Sipas CEFTA-s, ky lloj i ndalimeve ose kufizimeve nuk përbëjnë mjet diskriminimi arbitrar ose një kufizim i fshehur mbi tregtinë mes palëve.
 
Gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, ministri i Ekonomisë, Driton Kuqi, nga institucionet përkatëse ka kërkuar që Marrëveshja e CEFTA-s të respektohet plotësisht, ndërkohë nëse në të ardhmen paraqiten situata të këtilla, produktet që do të jenë objekt analizash të ruhen në depo të autorizuara dhe të mos bllokohen në vendkalimet kufitare, ku mund të dëmtohen.
 
SANIJE DURAKU