Kumanovë, projekte infrastrukturore në lagjet shqiptare

11.04.2016 16:37

Në më tepër lagje të Kumanovës edhe atë kryesisht të banuara me popullatë shqiptare, ka filluar sot implementimi i projekteve infrastrukturore, të votuara në Këshillin komunal të Kumanovës, e që prioritet do të kenë realizimin gjatë këtij viti...

Kryetari i Kumanovës, Zoran Damjanovski, me këtë rast tha se punohet në lagjet historikisht dhe padrejtësisht të lëna anësh, mbase edhe për shkak të ndërtimit pa leje. Mirëpo ja që sot angazhohemi që t’i vejmë gjërat në rregull, nënvizoi kreu i Komunës, Zoran Damjanovski.

Sipas koordinatorit të grupit të këshilltarëve të BDI-së në Këshillin komunal, Ridvan Asani, gjatë këtij viti planifikohet shtrirja e 30 mijë metrave katrorë me asfalt dhe 17 mijë metra katrorë me begatona.

“Sot lëshojmë në përdorim një pjesë të krahut të rrugës ‘Nikolla Vapçarov’.  Ju urojmë qytetarëve që të gëzojnë këtë rrugicë. Nga këtu duhet të potencoj se hapi i radhës po në këtë lagje do të jetë rregullimi i tre krahëve të rrugës ‘Cërnotravska’. Të theksoj se këto kanë qenë premtime të BDI-së gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale. Për momentin është duke u punuar në Lagjen e trimave në rrugët ‘Pero Stojmenovski’ dhe ‘Sento Stankovski’. Shpresojmë se deri në fund të mandatit do t’i mbyllim zonat më problematike në pjesët shqiptare”- deklaroi koordinatori i grupit të këshilltarëve të BDI-së, Ridvan Asani.

Paralajmërohet se gjatë gjithë vitit do të punohet intensivisht në lagjet shqiptare, si në shtruarjen e rrugëve me asfalt, por edhe rregullimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik. (Nexhat Aqifi, TVM2)