Qetësohet situata në Idomen, mbi 200 migrantë dhe 23 policë të lënduar mbrëmë
Është qetësuar gjatë ditës situata në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, pas një nate plot tensione dhe përleshje mes migrantëve dhe forcave të rendit të Maqedonisë që tentuan të pengonin me çdo kusht hyrjen e tyre në Maqedoni...

Sot atje vërehej numër i shtuar i forcave policore, por nuk ka pasur ndonjë përpjekje të re të migrantëve për kalimin e kufirit. Sipas mjekëve, në kampin e refugjatëve në pjesën greke janë mbi 260 njerëz që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas përleshjeve të mbrëmshme, ndërkohë që nga MPB bëjnë me dije për 23 policë dhe ushtarë të lënduar.
“Kufiri nuk do të hapet”- janë të prerë nga policia kufitare, ndërkohë që emigrantët me çdo kusht duan të kalojnë përmes Maqedonisë.
“Asnjëherë nuk do të mund të kaloni këtë kufi! Jo vetëm këtë vijë kufitare, por të gjithë kufijtë e tjerë të cilët janë në Maqedoninë veriore, nuk do të mund të kaloni nga këtu dhe nga ky kufi!”- tha një polic.
“Këtu pas meje janë 3000 njerëz, do të tentojmë t’i qetësojmë, por ta dini se nuk mund t’i kontrollojmë 3000 njerëz.”- u shpreh një migrant.
Nga MPB thonë, gjithsesi, se situata është nën kontroll dhe nata e mbrëmshme ka kaluar pa asnjë tentim për incident të ri nga ana e migrantëve.
Por, MPB thotë se “tentim për ta kaluar kufirin me dhunë ka pasur, refugjatët kanë qenë të inkurajuar, devijuar dhe organizuar nga disa aktivistë të organizatave joqeveritare. Ata kanë shpërndarë disa fletushka me informata të rrejshme, duke theksuar se menjëherë pasi që ta kalojnë kufirin greko-maqedonas me dhunë, do të munden pa ndalesë të shkojnë në vendet anëtare të BE-së”, thonë nga MPB. (Gyltene Sinani, TVM2)
