Maqedoni
Ligji për mbrojtjen e informatorëve: institucionet të jenë në mbrojtje të informatorëve
11.04.2016 17:31
Maqedonia nuk është e përgatitur që t’i dëgjojë informatorët. Ligji për mbrojtjen e tyre nuk zbatohet në tërësi...

Vlerësimi doli nga debati i organizuar nga “Transparensi Interneshënëll”.
Liderja e saj, Sllagjana Taseva, tha se nuk është definuar plotësisht roli i institucioneve të cilat do të duhet të sigurojnë mbrojtjen e informatorëve.
“Zbatimi i këtij ligji është me interes publik. Dënimet janë nga dy deri në gjashtë mijë euro për ata që nuk do të krijojnë mekanizëm apo sistem për zbatimin e ligjit. Kjo do të thotë se ky sistem veç më do të duhet të ekzistojë dhe ata që nuk e kanë krijuar mund edhe të paditen.”- deklaroi Sllagjana Taseva nga “Transparensi Interneshënëll”.
Përvojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme flasin se informatorët nuk kanë gjithmonë vullnet për bashkëpunim pas paraqitjes së parë dhe shpesh ata ndërrojnë mendje.
Sipas Lubisha Vidiniq nga MPB, problematik është neni 3, alinea 4, të Ligjit për mbrojtjen e informatorëve, ku shkruan se gjykatësi mund të zbardh identitetin e informatorit.
“Identiteti i informatorit do të duhet të zbulohet vetëm nëse ekziston dëshirë dhe pajtim nga ana e informatorit.”- tha përfaqësuesi i MPB-së, Lubisha Vidiniq.
Gazetari, Zoran Fidanovski, propozoi që të rriten dënimet në rast të zbulimit të identitetit të informatorëve.
Ligji për mbrojtjen e informatorëve ka hyrë në fuqi më 18 mars të këtij viti. Me këtë Maqedonia konsiderohet ndër shtetet e rralla që me ligj rregullon këtë materie.
MERAL ISMAILI
