Maqedoni

PDSh bojkoton zgjedhjet nëse nuk plotësohen kushtet

11.04.2016 17:50

PDSh do të marrë pjesë në zgjedhjet e pesë qershorit vetëm nëse plotësohen kushtet nga Marrëveshja e Përzhinës, që garantojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike...

Kreu i PDSh-së, Mendu Thaçi, thotë se partia e tij është e gatshme që të marrë pjesë në zgjedhje, por nuk përjashton mundësinë e bojkotimit në ditën e zgjedhjeve nëse deri atëherë nuk plotësohen kushtet e dakorduara me marrëveshjen politike të qershorit dhe korrikut të kaluar.     
 
“Nëse nuk përmbushen të gjitha kushtet për të cilat jemi marrë vesh, ne mund t’i bojkotojmë zgjedhjet edhe ditën e zgjedhjeve, që d.m.th. nuk duhet pasur shqetësim prej tani. Ne prej tani nuk mund të dalim me një qëndrim për bojkotimin e zgjedhjeve për shkak se strukturën e sjellim në huti. Ne punojmë për një muaj e ca sikur zgjedhje do të ketë nesër, por mos mashtrohet BDI se ne do të pranojmë të hyjmë në zgjedhje me atë situatë që ka qenë këto 14 vite. Qëndrimi ynë do të shkojë krah për krahë me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare.”- deklaroi kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
 
Kreu i PDSh-së shpreh bindjen se faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë më shkelje zgjedhore. Prandaj, që tani, ai ftoi të punësuarit në administratë që të denoncojnë çdo presion që u bëhet për qëllime elektorale.    
 
“Këtë herë kemi garanci jashtëzakonisht të fuqishme prej ShBA-ve dhe UE-së se nuk do të tolerojnë asnjë shkelje në zgjedhje. Unë jam plotësisht i bindur, 90 e ca për qind, se bashkësia ndërkombëtare nuk do të tolerojë këtë herë, për shkak se tolerimi i vjedhjes së zgjedhjeve nënkupton lejimin e krijimit të institucioneve tërësisht të kompromituara, të kriminalizuara.” tha kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
 
Këto komente Thaçi i bëri në një takim me simpatizantët e kësaj partie në Bogovinë, në kuadër të aktivitetit partiak “Dëgjesa publike”.