Maqedoni
LSDM: në listën zgjedhore mbi 10.000 votues të dyshimtë; VMRO: LSDM fsheh frikën nga humbja
11.04.2016 18:05
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka publikuar raportin e listës zgjedhore në bazë të analizave të partisë opozitare maqedonase dhe sipas tij...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka publikuar raportin e listës zgjedhore në bazë të analizave të partisë opozitare maqedonase dhe sipas tij, parregullsitë më të mëdha hasen me votuesit që nuk ekzistojnë apo që nuk janë gjallë.
Sipas pyetjeve të raportit të LSDM-së për listën zgjedhore, 10938 votues janë që duhet fshirë nga lista zgjedhore, sepse paraqiten si joekzistentë.
Për këto paqartësi, Zaev fton KShZ-në të punojë në bazë të ligjit dhe metodologjisë sa i përket pastrimit të listës zgjedhore dhe kjo të bëhet në seanca të hapura publike dhe në sy të qytetarëve.
“Për shembull pyetja: askush nuk jeton në këtë adresë? Përgjigjja ka qenë: Në këtë adresë nuk jeton personi me këto të dhëna. Këto përgjigje duan të thonë se ata votues duhet të fshihen nga lista zgjedhore. Në vendin ku nuk ka shtëpi janë regjistruar 40 votues. Këto janë absurde, shpresoj që ky organ i pavarur, që së bashku e krijuam, do të jetë i tillë. Në pyetjen: askush nuk jeton në këtë adresë, janë 10 938 votues që duhen fshirë.”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Lidhur me analizën për listën zgjedhore të LSDM-së kanë reaguar nga partia e VMRO-DPMNE-së.
“Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të këtij lloj akti prej krimi të LSDM-së, që në çdo mënyrë mundohet ta bllokojë punën e KShZ-së dhe të mos ju lejojë qytetarëve të dalin në zgjedhjet e 5 qershorit.”- tha Spiro Ristovski nga VMRO.
Sipas VMRO-së, loja me të ashtuquajturit votues “fantom” që po i publikon LSDM është manipulim i radhës i Zaevit, i cili mundohet të ikë nga zgjedhjet.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
