Gostivar, aksidentohet furgoni, 14 të lënduar, mes tyre 10 fëmijë

11.04.2016 18:06

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në afërsi të fshatit Patalisht të Gostivarit, me ç’rast janë plagosur 14 persona, mes tyre edhe 10 fëmijë...

Ngjarja ka ndodhur pasi që shoferi i minibusit, i cili ka transportuar nxënës të klasave të larta të shkollës fillore të fshatit Patalisht, përkatësisht nxënës të klasave të 7-ta dhe 8-ta, ka humbur drejtimin dhe është rrokullisur.

Aksidenti fatal ka ndodhur sot rreth orës 12:40 në afërsi të fshatit Padalishtë të Gostivarit. Duhet theksuar se në fshatin Patalisht vijnë nxënës nga dy lagjet e largëta të këtij fshati, nga Rrafsha e Madhe dhe Gravaneci, ku shkaku i numrit të vogël të banorëve funksionojnë vetëm klasat e kombinuara të ciklit të ulët.

Sipas zëdhënësit të SPB-së në Tetovë, Marjan Josifovski, drejtuesi i minibusit, 47 vjeçari me inicialet K. M. nga Padalishta, ka humbur drejtimin dhe është rrokullisur, duke rrëshqitur nga rruga. Të gjithë ata u shtrinë për kurim në Spitalin e Gostivarit. Mirëpo, shkaku i gjendjes së rëndë të disa nga fëmijëve, 4 nga ta, në orët e pasdites janë transferuar në Qendrën klinike të spitalit shtetëror në Shkup. (Lulzim Haziri, TVM2)