KShZ: Nga kontrolli në terren mungojnë 282 pyetësorë

11.04.2016 18:25

Me 7 vota për dhe 2 kundër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar raportin e kontrollit në terren, nga i cili gjatë pranim-dorëzimit nga gjithsej 87352 lëndë kontrolli është konstatuar se mungojnë 282 pyetësorë....

Me po aq vota është miratuar edhe raporti mbi të dhënat e përpunuara në sistemin elektronik, ndërsa për shkak të mungesës së të dhënave kontrollorët nuk kanë mundur të regjistrojnë edhe 132 pyetësorë, me çka ky numër është ngritur në 414 pyetësorë që mungojnë në sistemin elektronik.

Numri më i madh i pyetësorëve që anketuesit nuk ia kanë kthyer KShZ­së është rajoni i Kumanovës, prej ku anketuesit kanë kthyer 114 pyetësorë më pakë, ndërsa numri më i vogël është regjistruar në Shtip, ku ka munguar vetëm një pyetësor. Shqyrtimi i të dhënave nga kontrolli në terren dhe përpunimi i tyre në sistemin elektronik ka nxitur një debat të ashpër midis përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.

“282 pyetësorë mungojnë, ndërsa në një tjetër raport, të cilin e morëm nga IT, mungojnë 414 pyetësorë, që do të thotë se ka dallim. Konsideroj se ne jemi Komision Shtetëror i Zgjedhjeve dhe seriozisht duhet të punojmë dhe të reflektojmë besueshmëri në procesin zgjedhor dhe në ata që e punojmë. Mendoj se këtë duhet ta sqarojmë, përkatësisht ta pastrojmë.”- deklaroi anëtari i LSDM-së në KShZ, Igor Milev.

“Tani i kemi të gjitha të dhënat relevante në duart tona. Kemi një raport për praninë fizike të pyetësorëve dhe më pas do ta shqyrtojmë raportin për përpunimin elektronik të të dhënave dhe rezultatet të cilat i morëm nga kontrolli në terren. Më pas do ta shohim se në çka bazohet dallimi dhe do të kërkojmë llogari nga IT-ekspertët.”- tha anëtarja e VMRO-DPMNE-së në KShZ, Silvana Boneva.

Ndryshe, sipas raportit, nga gjithsej 87 352 qytetarë, aq sa ishin lëndë e kontrollit në terren, në pyetjen: nëse keni takuar personin, me përgjigjen “po” janë regjistruar 35 481, ndërsa me përgjigjen “jo” janë regjistruar 41 435 pyetësorë, ndërkohë kësaj përgjigje i kanë munguar për rreth 10 mijë pyetësorë. (Naim Ramadani, TVM2)