Botë

Në Gjermani janë zhdukur pothuajse 6.000 refugjatë minorenë

11.04.2016 21:49

Korporata mediale gjermane "Funke Mediengrupe" sot publikoi se vitin e kaluar në vend janë zhdukur 5.835 refugjatë minorenë, prej të cilëve 555 kanë qenë nën moshën 14-vjeçare...

Sipas korporatës mediale, siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Berlini, informacionet për refugjatët e zhdukur minorenë janë marrë nga burime të Parlamentit gjerman.
 
Në shkurt Ministria e Çështjeve Familjare duke iu përgjigjur pyetjeve të mediave publikoi se nuk ka arsye të besohet në zhdukjen e mijëra fëmijëve refugjatë.
 
Në mesin e 1,1 milionë refugjatëve të cilët vitin e kaluar erdhën në Gjermani besohet se të paktën 20.000 janë fëmijë, të cilët në Evropë kanë ardhur me shoqërimin e prindërve të tyre apo familjarëve të afërt.
 
Ministria gjermane e Punëve të Jashtme nuk ka informacione se pse dhe si kanë ndodhur një numër kaq i madh i zhdukjes së fëmijëve refugjatë.
 
Sipas përfaqësuesit të partisë të së Gjelbërve, Luis Amcberg, Qeveria federale e kryesuar nga kancelarja Angjela Merkel nuk i është përgjigjur problemit në mënyrë përkatëse, pasi që nuk i ka marrë parasysh në mënyrë serioze "rreziqet nga prostitucioni i dhunshëm dhe shfrytëzimi" me të cilat ballafaqohen refugjatët minorenë./mia