Botë

Deklarata e G7-s acaron Kinën, Pekini: Mjaft me deklarata të papërgjegjshme

12.04.2016 09:34

Qeveria kineze ka deklaruar se vendet e grupimit G7 duhet t’u japin fund “deklaratave të papërgjegjshme”...

Qeveria kineze ka deklaruar se vendet e grupimit G7 duhet t’u japin fund “deklaratave të papërgjegjshme”, duke iu referuar kështu qëndrimit të përbashkët të vendeve anëtare lidhur me përplasjet territoriale në Azinë e Paqësorit.
 
Ministrat, të mbledhur në Japoni, deklaruan se kundërshtojnë çdo aksion të njëanshëm dhe provokues që mund të rrisë tensionet në rajon. 
 
Kina pretendon sovranitet thuajse në të gjithë detin e Kinës së Jugut dhe në zonat në lindje të Detit Kinez, duke acaruar kështu fqinjët e saj. ekspertët deklarojnë se, fotot satelitore sugjerojnë se Kina po kthen në baza ushtarake ishujt që po krijon apo po zgjeron. 
 
Ministrat e Jashtëm të G7-s, ku bëjnë pjesë SHBA, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia, nuk e përmendën Kinën në deklaratën e tyre. 
 
Por ata u bënë thirrje të gjitha shteteve që të përmbahen nga veprime të tilla si “deklarimi i sovranitetit” dhe ngritja e ishujve “për qëllime ushtarake”, të cilat mund të destabilizojnë rajonin apo të ndryshojnë status kuonë. 
 
“Këto probleme duhet të zgjidhen në mirëbesim dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare”, deklaruan shefat e diplomacive. Duke reaguar, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lu Kang deklaroi se, pretendimet territoriale të Kinës janë legjitime./Top Channel